image Ekskluzive | Bastisje në një lokal në Prishtinë – 30-vjeçari kapet me marihuanë në xhep

Siguri

Ekskluzive | Bastisje në një lokal në Prishtinë – 30-vjeçari kapet me marihuanë në xhep

news image

Një kontroll rutinë i Policisë në një lokal në kryeqytet ka përfunduar me sekuestrimin e narkotikëve dhe shoqërimin e një 30-vjeçari në stacion policor.

Burime të Gazetës Sinjali bëjnë me dije se ngjarja ka ndodhur rreth orës 01:00 të mëngjesit në rrugën “Llapi” në Prishtinë, kur njësitet policore, gjatë kontrolleve në një lokal, kanë ndaluar Fitim Ramadanin.

Gjatë kontrollit, tek ai është gjetur një qese me substancë të dyshuar narkotike të llojit marihuanë, me peshë prej 13 gramësh.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë hetuesit dhe njësia e krim-teknikës, të cilët kanë bërë sekuestrimin e substancës dhe procedurat e nevojshme hetimore.

I dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor Veriu, ku është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës. Pas konsultimit me Prokurorin kujdestar, rasti është iniciuar për veprën penale “Blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Megjithatë, pas përfundimit të procedurave fillestare, Prokurori ka vendosur që Fitim Ramadani të mbrohet në liri, ndërsa hetimet për rastin do të vazhdojnë.

Sinjali mëson se autoritetet po punojnë për të sqaruar nëse bëhet fjalë për posedim për përdorim personal apo nëse ekzistojnë elemente që lidhen me shpërndarjen e substancës narkotike.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.

/GazetaSinjali/