image Ekskluzive | Bastisja s’jep rezultat, por policia gjen pistoletë dhe granatë dore në rrugë në Istog

Sinjalizime

Ekskluzive | Bastisja s’jep rezultat, por policia gjen pistoletë dhe granatë dore në rrugë në Istog

news image

Një zhvillim i pazakontë është regjistruar në fshatin Banjë të Istogut, ku një operacion policor për armëmbajtje pa leje ka marrë kthesë të papritur.

Siç mëson ekskluzivisht Sinjali, më 20 prill 2026 rreth orës 10:30, njësitet policore së bashku me hetuesit dhe forenzikën kanë kryer bastisje në shtëpinë e një personi të dyshuar për posedim të armëve. Megjithatë, kontrolli në banesë nuk ka rezultuar me gjetje.

Por situata ka ndryshuar menjëherë pas përfundimit të bastisjes.

Rreth 100 metra larg shtëpisë së kontrolluar, gjatë patrullimit në rrugë, policia ka hasur në një pistoletë kalibër 9 mm, pa numër serik të identifikueshëm, një karikator dhe një fishek, si dhe një granatë dore e tipit M75.

Arma është dokumentuar dhe sekuestruar nga forenzika, ndërsa mjeti shpërthyes është tërhequr në mënyrë të sigurt nga njësia speciale për deminim (IEDD), duke shmangur çdo rrezik për qytetarët.

Ajo që e bën rastin edhe më të ndërlikuar është fakti se deri më tani nuk është identifikuar asnjë person i dyshuar, pasi në vendin e ngjarjes nuk është gjetur asnjë dëshmitar.

Me udhëzim të prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa hetimet janë në zhvillim për të zbuluar origjinën dhe pronësinë e armëve të gjetura.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/