Podujeva të hënën u trondit nga vrasja e rëndë që ndodhi në pikë të ditës, në rrugën “Zahir Pajaziti”, ku si pasojë e të shtënave me armë, një person mbeti i vrarë, teka gruaja e tij u plagos. Viktima Valmir Breznica u qëllua me armë zjarri, për motive akoma të panjohura. Policia në koordinim me Prokurorinë kanë nisur hetimet, ndërkohë që tashmë është arrestuar një person që dyshohet se është i përfshirë në rast, raporton Gazeta Sinjali.
Gazeta Sinjali raportoi sot se personi që u arrestua nën dyshimet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje” është Arsim Syla, 48-vjeçar, në shtëpinë e të cilit Policia ka kryer bastisje.
Me rastin e kontrollit nga ana e njësive policore, në shtëpinë e të dyshuarit në fshatin Gllamnik, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy armë me municion (rreth 80 fishekë), si dhe automjetin e të dyshuarit, me të cilin u zbulua se ka lëvizur para vrasjes.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari Arsim Syla, ka qenë bashkë me dorasin pak para se të ndodhte krimi, duke e planifikuar vrasjen e 34-vjeçarit, i cili mbeti i vdekur në vend nga të shtënat me armë zjarri.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e të gjitha veprimeve për të zbardhur rrethanat e rastit tragjik.
Sinjali ka mësuar detaje ekskluzive se si ndodhi krimi si në filma
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije për Sinjalin se ekzekutimi i të riut, që njihej me nofkën “Dhija” ka ndodhur si në filma.
Të shtënat tragjike nga dy armët që i përdori i dyshuari kryesor e lanë të vdekur në vend, pasi u qëllua rreth 8 herë.
Sipas informacioneve të para, i dyshuari që e vrau viktimën, e ka gjuajtur fillimisht disa herë me njërën armë e më pas ka nxjerrë armën tjetër, duke e gjuajtur sërish, plumba këta që ishin tragjik për Breznicën.
Sinjalizuesit e Sinjalit kanë bërë me dije se gruaja që u plagos ka qenë bashkë me burrin e saj në momentin kritik, ashtu që posa ka nisur të vrapojë kur janë dëgjuar të shtënat, është qëlluar edhe ajo, por fatmirësisht ka shpëtuar.
Ndërkohë, Raporto24 ka publikuar disa fotografi, ku shihet personi i dyshuar duke nxjerrë armën, me të cilën vrau më pas të riun.
Lidhur me incidentin tragjik janë deklaruar edhe nga Policia e Kosovës, me ç’rast kanë bërë të ditur se po ndërmarrin veprimet e nevojshme për identifikimin e personave të dyshuar.
“Rreth orës 12:30, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në rrugën “Zahir Pajaziti” në Podujevë. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe nga informacionet e para të marra nga mjekët emergjent është konfirmuar se një person është pa shenja jete ndërkaq një tjetër ka mbetur i plagosur.
Aktualisht policia po vijon punën me veprime të ekzaminimit të vendngjarjes si dhe me veprime të tjera operativo-hetimore, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes si dhe identifikimin e të dyshuarve.”, thuhet në përgjigjen e Policisë.
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.