image EKSKLUZIVE | Babai zbuloi bisedat në Snapchat, Policia ndalon të miturin – dyshohet se dhunoi 13 vjeçaren në Vushtrri

Siguri

EKSKLUZIVE | Babai zbuloi bisedat në Snapchat, Policia ndalon të miturin – dyshohet se dhunoi 13 vjeçaren në Vushtrri

news image

Një rast i ndjeshëm që përfshin dy të mitur ka alarmuar autoritetet në Vushtrri, pasi dyshimet e një babai çuan në nisjen e hetimeve për veprën penale të dhunimit.

Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë me dije se gjithçka nisi mbrëmjen e 15 qershorit, rreth orës 23:10, kur A. B. iu drejtua Policisë pasi në telefonin e vajzës së tij të mitur kishte gjetur biseda në rrjetin social Snapchat, të cilat ngritën dyshime se ajo mund të kishte pasur marrëdhënie seksuale.

Pas raportimit, njësitë policore kanë ndërhyrë menjëherë, duke dalë në fshatin Samadrexhë, ndërsa për procedura të mëtejshme janë shoqëruar në stacion policor të gjitha palët e përfshira.

Vajza e mitur, e lindur në vitin 2013, është dërguar për ekzaminime dhe trajtim mjekësor, ndërsa rasti është marrë në trajtim nga hetuesit rajonalë të Mitrovicës së Jugut.

Sipas informatave që posedon Sinjali, i dyshuari, një i mitur me inicialet L.H., i lindur në vitin 2009, gjatë procedurave fillestare ka deklaruar se më 15 qershor kishte kryer marrëdhënie seksuale me të miturën.

Me vendim të Prokurorit kujdestar për të mitur, ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 24 orë, ndërsa rasti është iniciuar si “Dhunim” dhe hetimet po vazhdojnë për të sqaruar plotësisht të gjitha rrethanat e ngjarjes.

Për shkak të moshës së të miturve të përfshirë, Gazeta Sinjali nuk publikon identitetin e tyre të plotë.

Ishin disa mesazhe në Snapchat që ngritën dyshimet e një babai. Tashmë, ato janë pjesë e një dosjeje që po hetohet nga Prokuroria për të zbardhur të vërtetën e një rasti tejet të ndjeshëm.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/