Vetëm pak kohë pasi u lirua nga paraburgimi për një rast ku u kap me 10 kilogramë drogë në Prishtinë, Agim Rexhepi është arrestuar sërish – kësaj here si i dyshuar për përfshirje në rrjetin kriminal që përdorte aplikacionin e koduar SKY ECC.
Burime të besueshme të Sinjalit brenda sistemit të drejtësisë bëjnë me dije se Rexhepi është vënë në pranga nga Policia , nën dyshimet e komunikimeve të dekriptuara përmes SKY ECC, platformë e njohur për organizimin e aktiviteteve kriminale, përfshirë trafik ndërkombëtar droge.
Ky zhvillim vjen vetëm pak kohë pasi Gjykata në Prishtinë vendosi ta lirojë atë nga paraburgimi, ndonëse ndaj tij rëndonte dyshimi për posedim dhe shpërndarje të lëndëve narkotike në sasi të konsiderueshme.
Hetimet ndaj tij po vazhdojnë nën koordinimin e Prokurorisë Speciale, ndërsa dyshohet se Rexhepi është vetëm një nga disa persona në Kosovë të përfshirë në komunikime të zbuluara nga rrjeti i koduar i përdorur nga grupet kriminale në Evropë.
Sinjali ka mësuar se arrestimi i fundit është bazuar në të dhëna të mbledhura nga bashkëpunimi ndërkombëtar hetimor, i cili ka përfshirë edhe autoritetet belge dhe franceze, pas çmontimit të sistemit SKY ECC në vitin 2021.
Për më shumë detaje, Sinjali do t’ju mbajë të informuar.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.