I kërkuari nga Policia me të kaluar kriminale, kryesisht për vepra penale të mashtrimit”, ka rënë t enjten në prangat e Policisë. 36-vjeçari nga Prishtina u kap pak para mesnatës dhe përfundoi në ndalim policor, nën dyshimet për përfshirje në një rast të nëntorit 2024, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Valton Makollin, emër i njohur për organet e rendit.
Makolli është prangosur pasi dyshohet se e ka mashtruar një person, më 7 nëntor të vitit të kaluar dhe ka arritur të qëndrojë në arrati gjatë kësaj kohe.
Si rezultat i denoncimit të rastit, Policia e kishte futur në kërkim policor dhe pas lokalizimit të vendndodhjes së tij, i njëjti është arrestuar.
Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të tjera të nevojshme.
Valton Makolli dyshohet edhe për një rast të mashtrimit që ka ndodhur më 6 qershor 2024, e po ashtu edhe për vjedhje të shërbimeve – rast ky i vitit 2022.
Edhe në vitin 2021, ai ishte shpallur në kërkim nga Policia për veprën penale ‘Mashtrimi’, që rezultoi me arrestimin e tij pas një dite.