Kompanitë në Kosovë jo rrallëherë denoncojnë keqpërdorimet, abuzimet e shpërdorimet nga punëtorët, që u shkaktojnë humbje dhe pasiguri. Një rast i tillë i keqpërdorimit të besimit është denoncuar nga një kompani e sigurimit në Prishtinë, me ç’rast u raportua një punëtore që dyshohet se përfitoi kundërligjshëm, raporton Gazeta Sinjali.
Si rezultat, e dyshuara është arrestuar dhe shoqëruar gjatë ditës së sotme në Polici dhe ndaj saj tashmë është lëshuar urdhër për ndalim.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për kompaninë “Besa Security” – përfaqësuesi i të cilës ka raportuar së fundmi në Polici se një punëtore e kësaj kompanie ka përfituar në mënyrë të jashtëligjshme një shumë të majme parash.
Bazuar në informacionet e para, punëtorja e kompanisë dyshohet se duke shfrytëzuar dhe keqpërdorur detyrën e saj, ka arritur që për rreth 4 muaj të përfitojë hiç më pak se rreth 95 mijë euro, shkruan Sinjali.
“Zhdukja” e të hollave që e njëjta dyshohet se i mori kundërligjshëm, duke keqpërdorur besimin që i është dhënë u zbulua së fundmi dhe u denoncua në Polici.
Pas denoncimit të rastit, janë ndërmarrë veprimet e nevojshme ligjore dhe është siguruar prezenca e të dyshuarës.
Punëtorja e kompanisë “Besa Security” është intervistuar nga hetuesit policorë nën dyshimet për veprën penale “Keqpërdorimi i besimit”.
Ndaj saj, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.
Ndryshe, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, “Kushdo që gjatë përfaqësimit apo kujdesit për interesat pasurore të personit tjetër nuk i përmbush detyrimet e tij ose i keqpërdor autorizimet e tij me qëllim që vetes apo personit tjetër t’i sjellë dobi pasurore të kundërligjshme apo t’i shkaktojë dëm personit interesat pasurore të të cilit ai i përfaqëson ose pasuria e të cilit është nën kujdesin e tij, dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre (3) muaj deri në tre (3) vjet.”