image Ekskluzive: Arrestohet pronari i pompës ‘Delta Group’ - ku vdiq punëtori pas shpërthimit të cisternës

Siguri

Ekskluzive: Arrestohet pronari i pompës ‘Delta Group’ – ku vdiq punëtori pas shpërthimit të cisternës

news image

Pronari i kompanisë së derivateve, ‘Delta Group’, Vesel Jusaj, ka përfunduar në prangat e Policisë sot, lidhur me rastin tragjik të vdekjes së një punëtori mëngjesin e 11 tetorit në Pejë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.

Arrestimi i tij erdhi si rezultat i hetimit nga Njësia e Hetimeve Rajonale në Pejë dhe dyshimeve të ngritura për veprën penale “Asgjësimi, dëmtimi ose heqja e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikimi i sigurisë në vendin e punës”.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se Vesel Jusaj është intervistuar si i dyshuar për këtë rast dhe tashmë është dërguar në mbajtje.

Ndaj tij, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Ndryshe, mëngjesin e 11 tetorit në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë, ka shpërthyer një cisternë dhe si pasojë e kësaj një person ka mbetur i vdekur.

Sinjali pati raportuar se viktima është Visar Muriqi, i moshës rreth 45-vjeçare.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/