Një numër i madh i të dyshuarve që kërkohen nga organet e rendit arrijnë ta shijojnë lirinë nga arratia. Plot të akuzuar e të dënuar për vepra të ndryshme penale, që kanë ikur nga duart e drejtësisë, shpallen në kërkim dhe ndaj tyre lëshohen urdhër-arreste, raporton Gazeta Sinjali.
Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në Vushtrri, ku është arrestuar një person i cili po kërkohej me dy urdhër-arreste.
Sinjali mëson ekskluzivisht se bëhet fjalë për 26-vjeçarin Agron Asllani.
Ai përfundoi në pranga mbrëmë, pas një aksioni të zhvilluar nga Policia në rrugën “Ahmet Selaci”.
Ndaj 26-vjeçarit, paraprakisht ishin lëshuar dy urdhëresa aktive arresti nga Gjykata Themelore Mitrovicë – Dega në Vushtrri.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se ai ishte i dënuar me 60 ditë burg për një rast dhe 50 ditë burg për një rast tjetër.
26-vjeçari do të vuajë 110 ditë burgim dhe është dërguar menjëherë në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali – Prishtinë, për të filluar vuajtjen e dënimit.