Një shtetase e Britanisë së Madhe ka përfunduar në prangat e Policisë së Kosovës menjëherë pas mbërritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, pasi rezultonte e kërkuar me urdhër-arrest aktiv, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se rreth orës 00:40 të datës 3 qershor, gjatë procedurave të kontrollit kufitar, është ndaluar Valentina Trajanovska, shtetase britanike me prejardhje nga Maqedonia e Veriut.
Pas verifikimeve në sistemet zyrtare, është konstatuar se ndaj saj ishte lëshuar urdhër-arrest aktiv nga Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, në kuadër të një rasti që lidhet me veprën penale të vjedhjes.
Sinjali mëson se me urdhër verbal të gjyqtarit kompetent, e dyshuara është ndaluar për 48 orë dhe është dërguar në Qendrën e Mbajtjes në Lipjan, derisa të ndërmerren procedurat e mëtejshme gjyqësore.
Rasti po trajtohet nga organet kompetente.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!