image Ekskluzive: Arrestohet kosovari i dyshuar për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

Ekskluzive

Ekskluzive: Arrestohet kosovari i dyshuar për keqpërdorim të fëmijëve në pornografi

news image

Bashkëpunimi mes Policisë dhe autoriteteve gjermane lidhur me një rast që dyshohet se ishte kryer vepra penale keqpërdorim i fëmijëve në pornografi, rezultoi me identifikimin dhe kapjen e një personi të dyshuar. I njëjti përfundoi dje në pranga të Policisë së Kosovës, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se kosovari i arrestuar është Sh.Halili, rreth 23-vjeçar, i cili u prangos gjatë ditës së djeshme, nën dyshimet për përfshirje në këtë rast.

Policia, në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme për ndalimin e të dyshuarit, pasi u njoftuan nga autoritetet e shtetit gjerman.

I njëjti është shoqëruar në stacion policor, ku u intervistua lidhur me veprën me të cilën ngarkohet.

Ndaj tij, Prokurori ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe ndërmarrjen e veprimeve të nevojshme brenda afatit ligjor.

Vepra për të cilën po dyshohet i riu futet në veprat penale kundër integritetit seksual.

Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, kushdo që prodhon pornografi me fëmijët ose përdor apo përfshin fëmijën për krijimin ose për prodhimin e shfaqjeve të gjalla, dënohet me burgim prej 5  deri në 15 vjet.

Ndërsa kushdo që shet, shpërndan, promovon, shfaq, transmeton, ofron ose e vë në dispozicion pornografinë për fëmijë, dënohet me burgim prej 3  deri në 10 vjet, si dhe kushdo që siguron për veten apo personin tjetër ose posedon pornografi me fëmijë, dënohet me gjobë dhe me burgim prej 1 deri në 5 vjet.

/GazetaSinjali/