Pas më shumë se një jave hetime, Policia e Kosovës ka arrestuar një të ri që dyshohet se është përfshirë në një rast të lëndimit të rëndë trupor në kryeqytet, mëson ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për Uvejs Halilin, i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në incidentin e ndodhur më 25 maj 2026, rreth orës 21:05, në rrugën “Aziz Abrashi” në Prishtinë.
Rasti ishte iniciuar nga Stacioni Policor “Jugu” në Prishtinë dhe që nga dita e ngjarjes kishte qenë nën hetim nga Drejtoria e Hetimeve të Policisë së Kryeqytetit.
Pas grumbullimit të provave dhe veprimeve hetimore, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar arrestimin e të dyshuarit.
Sinjali mëson se më 2 qershor, Uvejs Halili është ndaluar për 48 orë nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Lëndim i rëndë trupor”.
Hetimet për rastin janë duke vazhduar.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!