image Ekskluzive: Arrestohet i dyshuar për tentimvrasje dhe rrahje brutale në Viti

Ekskluzive

Ekskluzive: Arrestohet i dyshuar për tentimvrasje dhe rrahje brutale në Viti

news image

Pas më shumë se dy vjetësh në arrati, Mensur Alimi, 20 vjeçar, është arrestuar nga Policia e Kosovës. Ai ishte në kërkim lidhur me një ngjarje të rëndë që ndodhi më 25 nëntor 2022, në rrugën “Flaka e Janarit” në Viti, ku një përleshje brutale mes nxënësve të dy shkollave të mesme përfundoi me disa të lënduar rëndë.

Sipas burimeve të Gazetës Sinjali, rasti i rëndë kishte ndodhur rreth orës 17:05, kur dy grupe të të rinjve u përfshinë në një rrahje të dhunshme, ku u përdorën edhe mjete të mprehta. Nga ngjarja mbetën të lënduar rëndë katër persona: Aid Ferizi, 20 vjeçar, Erion Misini, 20 vjeçar, Kreshnik Kamberi, 21 vjeçar dhe Erblin Rrahimi, 19 vjeçar – tre prej të cilëve u transferuan në QKUK për trajtim, ndërsa njëri u trajtua në spitalin e Gjilanit.

Policia kishte arrestuar në vendngjarje tre persona të dyshuar: Blin Fazliu, 19 vjeçar, Elmaz Rexhepi, 21 vjeçar dhe Taulan Haliti, 21 vjeçar– të gjithë të ndaluar për pjesëmarrje në rrahje. Por dy vëllezërit Mensur dhe Kadri Alimi ishin shpallur në kërkim, pasi dyshohej se kishin rol kryesor në ngjarje dhe ndaj tyre rëndon akuza për tentimvrasje.

Gjatë hetimeve, Policia kishte siguruar prova materiale dhe incizime nga vendi i ngjarjes, ndërkohë që Prokuroria Themelore në Gjilan – Departamenti për Krime të Rënda, kishte lëshuar urdhër për ndalimin e të dyshuarve.

Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë në rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.

“Me 08.05.2025 rreth orës 15:00 Policia e Kosovës, Stacioni Policor në Viti, ka ekzekutuar urdhër arrestin e Gjykatës Themelore, me ç’ rast ka arrestuar të dyshuarin M. A. I njëjti me datë 25.11.2022 dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje në tentativë” ndaj katër viktimave meshkuj kosovar”, tha Hashani.

“I dyshuari është intervistuar në bazë të procedurave ligjore dhe me vendim të prokurorit të shtetit është ndaluar për 48 orë”, shtoi tutje ai.

Arrestimi i Mensur Alimit përbën zhvillim kyç në zbardhjen e plotë të këtij rasti të rëndë që kishte tronditur opinionin publik.

Gazeta Sinjali do të raportojë për çdo zhvillim të mëtejshëm rreth hetimeve dhe procedurave gjyqësore.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/