image Ekskluzive: Arrestohet Gëzim Iseberi – kishte urdhërarrest për shitblerje të drogës dhe krim të organizuar

Ekskluzive

Ekskluzive: Arrestohet Gëzim Iseberi – kishte urdhërarrest për shitblerje të drogës dhe krim të organizuar

news image

Njëri nga personat e kërkuar me urdhërarrest të Gjykatës Themelore në Prishtinë nën dyshimin për shitblerje dhe shpërndarje të drogës dhe krim të organizuar tashmë ka rënë në prangat e Policisë. I dyshuari u kap në kufi dhe tashmë ndodhet nën masën e paraburgimit, raporton Gazeta Sinjali.

Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Gëzim Iseberin (55-vjeçar), emër i njohur për organet e rendit në Kosovë.

Iseberi është ndaluar në pikën kufitare në Vërmicë, ku pas verifikimit rezultoi se ndaj tij ka urdhëresë aktive të lëshuar nga Gjykata.

55-vjeçari po kërkohej pasi dyshohet për krim të organizuar dhe për veprën penale Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”.

Pas përfundimit të procedurave policore, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe më pas ka dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake.

Ndaj tij, me vendim të Gjykatës është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një muaji.

Kujtojmë se Iseberi akuzohej para shumë vitesh për një rast të krimit të organizuar dhe trafikimit të drogës.

Në vitin 2011, një trup gjykues i përzier me gjykatës të EULEX-it dhe ata kosovarë nga Gjykata e Qarkut në Prishtinë kishin shpallur aktgjykimin për këtë rast, ku Xhemë Thaqi dhe Abdyl Kukaj u shpallën fajtorë, ndërsa Iseberi ishte liruar nga të gjitha akuzat.

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/