Dy nga grupi i të dënuarve me 20 vjet burgim për rastin e mashtrimit të 176 blerësve të banesave, që u shpallën fajtor në tetor të vitit 2023, kanë rënë në prangat e Policisë së Kosovës. Aksioni për kapjen e tyre është zhvilluar në dy lokacione në Prishtinë, raporton ekskluzivisht Gazeta Sinjali.
Siç merr vesh Sinjali bëhet fjalë për Vigan Bunjakun dhe Estrida Bunjakun – të cilët janë dënuar nga Gjykata Themelore në Pejë për veprat mashtrim dhe shpëlarje parash.
Burimet e Gazetës Sinjali kanë bërë me diej se fillimisht është ndaluar Estrida Bunjaku e më pas në rrugën “Fahri Fazliu” është kapur Vigan Bunjaku.
Pas përfundimit të procedurave për realizimin e urdhëresave, të dy janë dërguar në vuajtje të dënimit, në qendrat korrektuese në vend.
E akuzuara Estrida Bunjaku për veprën penale “Mashtrimi” është dënuar me 5 vjet burgim, si dhe me gjobë 20 mijë euro. Kurse për veprën penale “Shpëlarje e parave” është dënuar me 3 vjet e 2 muaj burgim dhe gjobë në shumën prej 100 mijë euro.
Ndërsa Vigan Bunjaku ishte dënuar me burgim në kohëzgjatje prej 3 vjet dhe me gjobë në shumën prej 50 mijë euro, për veprën penale “Mashtrimi”.
Kujtojmë se fillimisht Gjykata Themelore në Pejë, më 15 qershor 2022, i kishte shpallur fajtorë pesë të akuzuarit për këtë rast, Estrida Bunjakun, Vigan Bunjakun, Burim Vokrrin, Xhemajl Arifin dhe Valon Orllanin, duke i dënuar së bashku me 30 vjet burgim dhe 450 mijë euro gjobë.
Por, rasti ishte kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit.
Sipas aktakuzës së ngritur për këtë rast, në maj të vitit 2016, Estrida Bunjaku, Vigan Bunjaku, Burim Vokrri, nga 2 shtatori i vitit 2009 e deri më 15 maj 2014, duke vepruar si grup kriminal kanë përfituar mjete financiare jashtëligjshëm në vlerë prej rreth 2,000.000,00 euro.