Gazeta Sinjali mëson ekskluzivisht se në qytetin e Gjakovës janë arrestuar disa qytetarë nën dyshime për përfshirje në veprimtari të paligjshme.
Arrestimet janë bërë në kuadër të një aksioni të ndërmarrë nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore të Gjakovës dhe me asistencën e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK).
Burime të besueshme bëjnë me dije se pas arrestimit të qytetarëve, janë shoqëruar në hapësirat e Policisë për intervistim së paku dy zyrtarë policorë, për të cilët ekzistojnë dyshime se mund të kenë pasur ndërveprime të ndaluara me personat e arrestuar, duke rrezikuar integritetin e veprimit të tyre zyrtar.
Sipas informacioneve paraprake, hetimet lidhen me dyshime për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe ndërhyrje të palejuara, ndërsa aksioni është ende në zhvillim në disa lokacione të Gjakovës.
Sinjali po ndjek hap pas hapi zhvillimet dhe do t’ju mbajë të informuar me çdo detaj të ri, sapo të konfirmohet zyrtarisht nga institucionet përkatëse.