Dy persona që dyshohen se kishin sulmuar tre të rinj dhe u kishin dëmtuar veturën në Mazgit kanë rënë në prangat e Policisë pas gati tri javësh në arrati, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuarit janë Megzon Sefedini (1989) dhe Rijad Isufi (1996).
Sipas burimeve të Sinjalit, ngjarja kishte ndodhur në orët e para të mëngjesit të 25 qershorit, në rrugën “Dita e Flamurit” në Mazgit, ku si pasojë e sulmit kishin mbetur të lënduar Visar Arifaj, 29 vjeçar, Amir Gugjufi, 33 vjeçar dhe Sokol Neziri, 31 vjeçar.
Tre të rinjtë kishin marrë trajtim mjekësor në QKUK, ndërsa gjatë incidentit ishte dëmtuar edhe një veturë Volkswagen Golf 4, në pronësi të viktimave.
Pas një pune intensive hetimore, Policia ka arritur t’i lokalizojë dhe arrestojë dy të dyshuarit, të cilët janë shoqëruar në Stacionin Policor në Obiliq dhe janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se njëri nga të dyshuarit, Megzon Sefedini, ka shfrytëzuar të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj tyre është iniciuar procedurë për veprat penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe “Asgjësim apo dëmtim i pasurisë”, ndërsa të dy janë dërguar në Qendrën e Mbajtjes për 48 orë. Hetimet për rastin vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!