Një informacion anonim për shitje të drogës në një lokal të Podujevës ka vënë në lëvizje Policinë, e cila ka organizuar një aksion që përfundoi me arrestime, sekuestrime dhe procedura penale ndaj dy personave.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se gjithçka nisi pas një denoncimi se në lokalin “Nice Bar”, në rrugën “Afrim Zhitia”, persona të caktuar po merreshin me shitjen e substancave narkotike.
Pas marrjes së informacionit, njësitet policore dhe hetuesit kanë ndërhyrë në lokacion, ku me urdhër të Prokurorit kujdestar është kryer kontroll i detajuar i lokalit.
Gjatë aksionit janë gjetur dhe sekuestruar 6.25 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, si dhe një thikë, e cila dyshohet se mbahej në kundërshtim me ligjin.
Sinjali mëson se në pranga kanë përfunduar Andi Murati, rreth 20-vjeçar dhe Fabian Çitaku, rreth 27-vjeçar.
Sipas dosjes policore, Murati po hetohet për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, ndërsa ndaj Çitakut është iniciuar procedurë për “Posedim të paautorizuar të narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Pas intervistimit dhe përfundimit të procedurave, me vendim të Prokurorit të Shtetit, të dy janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin vazhdojnë.
Droga, denoncimi anonim dhe aksioni policor në një lokal të Podujevës. Burimet e Sinjalit zbardhin detajet e operacionit që çoi në arrestimin e dy të rinjve.
Shënim: Personi i përmendur në këtë lajm konsiderohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të vërtetohet me vendim të formës së prerë të gjykatës kompetente.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!