Një sasi e madhe e substancës së dyshuar narkotike dhe një numër i konsiderueshëm telefonash mobilë janë zbuluar gjatë një bastisjeje brenda Qendrës Korrektuese në Dubravë, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur më 12 korrik, gjatë një kontrolli të organizuar nga Departamenti i Sigurisë, pas informacioneve operative se në zonat sterile të burgut po hidheshin sende të ndaluara nga jashtë perimetrit.
Gjatë bastisjes në zonën veriore, pranë Tango 4, zyrtarët korrektues gjetën një qese plastike, brenda së cilës ndodheshin 482 gramë substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë.
Në të njëjtin lokacion u zbuluan edhe: 9 telefona mobilë iPhone; 4 kartela SIM të operatorit IPKO; 10 kabllo për mbushjen e telefonave.
Sipas burimeve të Sinjalit, ekziston dyshimi se të gjitha këto sende janë hedhur nga jashtë perimetrit të burgut, me qëllim që të përfundonin në duart e të burgosurve.
Substanca narkotike është marrë në administrim nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) në Pejë, ndërsa telefonat dhe provat e tjera kanë mbetur të sekuestruara në Qendrën Korrektuese të Dubravës.
Me urdhër të Prokurorit të Krimeve të Rënda në Pejë, është iniciuar rasti për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Deri në këtë fazë të hetimeve nuk ka persona të identifikuar si të dyshuar, ndërsa DHTN-ja po vazhdon hetimet për të zbuluar autorët dhe mënyrën se si kontrabanda ka tentuar të futet brenda burgut.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!