Një operacion i koduar “GURI”, i zhvilluar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN), ka çuar në arrestimin e dy personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme kokaine, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se të arrestuar janë F.P, 34-vjeçar, dhe Q.K, 33-vjeçar, të dyshuar për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të substancave narkotike.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit kishin siguruar informacione operative se njëri nga të dyshuarit merrej me shitjen e kokainës. Pas disa ditësh hetime, mbrëmjen e 15 korrikut, rreth orës 20:00, ata ndërmorën aksion në magjistralen Pejë–Prishtinë, ku ndaluan një veturë Mercedes me targa vendore.
Gjatë kontrollit të automjetit, në një hapësirë të fshehur pranë radios, policia gjeti 51.9 gramë kokainë.
Hetimet vijuan me bastisje në shtëpinë e Fisnik Prokopucës në fshatin Miradi e Poshtme, ku u sekuestruan:
- 95.8 gramë kokainë, të ndarë në katër qese;
- dy peshore digjitale;
- qese për paketimin e narkotikëve;
- 1.340 euro para të gatshme;
- tre telefona mobilë.
Sipas burimeve, në total, Policia ka sekuestruar 150 gramë kokainë, e cila, sipas vlerësimeve fillestare, ka një vlerë rreth 10 mijë euro në tregun ilegal.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se është bastisur edhe shtëpia e Q.K në Miradi, por aty nuk është gjetur asnjë provë që lidhet me rastin.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe ekipet e Forenzikës së Policisë së Kosovës, të cilat kanë dokumentuar dhe sekuestruar të gjitha provat materiale.
Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit të Departamentit për Krime të Rënda, F.P dhe Q,K janë ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga DHTN-ja në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prishtinë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!