image Ekskluzive | Aksionet e antidrogës vazhdojnë në Gjakovë – 38-vjeçari kapet me marihuanë

Siguri

Ekskluzive | Aksionet e antidrogës vazhdojnë në Gjakovë – 38-vjeçari kapet me marihuanë

news image

Goditjet e Policisë ndaj poseduesve të narkotikëve po vazhdojnë në Gjakovë. Rasti i radhës është regjistruar pak para mesnatës, kur hetuesit e antidrogës ndaluan një person dhe i gjetën substancë të dyshuar narkotike.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se bëhet fjalë për Albinot Alidemajn (38 vjeç).

Sipas informacioneve, rasti ka ndodhur më 27 korrik, rreth orës 23:50, në rrugën “Wesley Clark” në Gjakovë, ku hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) kanë ndaluar të dyshuarin për kontroll.

Gjatë kontrollit, në posedim të tij është gjetur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë, e cila pas peshimit ka rezultuar me 2.72 gramë. Substanca është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.

I dyshuari është shoqëruar në zyrat e DHTN-së në Gjakovë, ku është intervistuar nga hetuesit.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, ndaj Albinot Alidemajt është iniciuar procedurë për veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge”, ndërsa pas intervistimit ai është liruar në procedurë të rregullt.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/