Njësia e Antidrogës në Policinë Rajonale në Prizren të hënën ka zhvilluar një aksion që kishte cak një person të shpallur në kërkim për vepra penale të narkotikëve, bazuar në dy urdhëresa të Gjykatës. Ndonëse i dyshuari nuk u gjet, në banesën e tij Policia arriti të sekuestrojë drogë dhe tashmë vëllai i të njëjtit ndodhet nën masën e ndalimit policor për këtë rast, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar se operacioni policor është zhvilluar pasdite, në rrugën “Adem Jashari”, ku Policia ka kryer bastisje që rezultuan me gjetjen dhe sekuestrimin e një sasie të marihuanës, qeseve për paketimin e drogës dhe prova të tjera.
Burimet brenda Prokurorisë kanë bërë me dije ekskluzivisht se personi që po kërkohej është Ardit Krasniqi, por i cili nuk u gjet nga Antidroga gjatë aksionit të djeshëm.
Megjithatë në pranga përfundoi djali tjetër i familjes Krasniqi.
Të njëjtat burime kanë bërë me dije se për drogën që u kap në banesën e tyre, këtë herë dyshohet vëllai binjak i Arditit, Artan Krasniqi.
Policia ka arritur të sigurojë prezencën e tij dhe i njëjti është intervistuar nga hetuesit policorë.
I dyshuari Artan Krasniqi ka deklaruar ndër të tjera se droga që u gjet i përket atij dhe jo vëllait të tij, që ndodhet akoma në arrati.
Pas përfundimit të procedurave policore, me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe brenda afatit ligjor do të ndërmerren veprimet e tjera.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.