Hetimi dhe dyshimet e ngritura për veprimtari të kundërligjshme në disa biznese në rajonin e Prizrenit, rezultuan me një aksion të zhvilluar gjatë kësaj jave nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Njerëz në asistim me njësi tjera përkatëse. Disa lokale u mbyllën dhe të njëjtat janë lokacione ku jo rrallëherë Policia ka intervenuar, raporton Gazeta Sinjali.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se janë kryer kontrolle në së paku 3 lokale, dy prej tyre me muzikë live, “Swiss” dhe “Engjulli”, si dhe një qendër masazhi e quajtur “Ola”.
Bazuar në informacionet e para, këtyre lokaleve, dy në Prizren e një në Suharekë, u është vënë dryni pasi dyshohet se kanë operuar pa poseduar leje.
Lokali “Swiss” me pronar Kushtrim Bytyqin, ishte bastisur nga Antidroga në muajin mars të këtij viti, gjatë një operacioni policor, ku cak ishte Bytyqi dhe personat me të cilët bashkëpunonte nën dyshimet për shitblerje të drogës, për çka Sinjali kishte raportuar ekskluzivisht.
Edhe lokali “Engjulli” që ndodhet në Topliqan të Suharekës është vend ku hiç më larg se në fund të muajit gusht pati një incident. Nga të shtanat me kallashnikov dhe përleshja në këtë lokal, shtatë persona mbetën të lënduar.
Ndërsa lokali që operonte si qendër masazhi “Ola Masazh” ndodhet në Prizren dhe dyshohet që po ashtu është ushtruar veprimtari në kundërshtim me ligjin.
Sinjali do të iu mbajë te informuar me detaje të reja.