Antidroga e Policisë së Kosovës në vazhdimësi zhvillon aksione që kanë cak personat që merren me shitblerje e shpërndarje të substancave narkotikëve, që kryesisht janë emra të njohur për organet e rendit. Një operacion i tillë për kapjen e dy të dyshuarve që njihen në Prizren si ‘diller’ të drogës, u zhvillua të martën atje, raporton Gazeta Sinjali.
Aksioni u krye në rrugën “Hasan Prishtina”, ku hetuesit e Njësisë për hetimin e trafikimit me narkotikë, ndaluan dy persona, njëri prej të cilëve përfundoi në ndalim policor.
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se te njëri prej tyre, zyrtarët policorë kanë gjetur qese me marihuanë dhe me kokainë, të ndarë në sasi të ndryshme.
Droga që dyshohej se ishte për shpërndarje u sekuestrua nga Policia, ndërsa dy personat që u ndaluan janë shoqëruar në stacion policor për intervistim.
Ndaj të dyshuarit kryesor, Prokurori i Shtetit ka urdhëruar masën e ndalimit policor dhe inicimin e hetimit në drejtim të veprës penale ”Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave psikotrope dhe analoge”.