Një aksion i Drejtorisë për Hetimin e Trafikimit me Narkotikë (DHTN) ka përfunduar me arrestimin e një të riu në Deçan, i cili dyshohet se merrej me shitjen e kokainës, raporton Sinjali.
Sinjali mëson ekskluzivisht se i arrestuari është Mirlind Maksutaj, 29 vjeçar.
Sipas burimeve të Sinjalit, hetuesit e DHTN-së në Pejë, në kuadër të Planit Operativ “VERA 2026”, kishin siguruar informacione operative se në një lokal në fshatin Isniq po zhvillohej shitblerje e lëndëve narkotike të llojit kokainë.
Pas sigurimit të urdhrit verbal nga Prokurori i Shtetit, policia ndërmori aksionin në bashkëpunim me Njësinë për Reagim të Shpejtë, patrullat policore dhe krimteknikën.
Në momentin kur policët mbërritën në lokacion, Mirlind Maksutaj, i cili ndodhej jashtë lokalit, tentoi të largohej me vrap, por u ndal dhe u arrestua nga hetuesit.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se gjatë tentativës për arratisje, ai hodhi një objekt në një arë pranë lokalit. Pas kontrollit të terrenit, policia gjeti 42 qese të vogla me substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, me peshë bruto 23.3 gramë.
Gjatë aksionit u sekuestruan edhe: 375 euro para të gatshme; një telefon mobil.
Policia bastisi edhe banesën e të dyshuarit, por aty nuk u gjet asnjë provë tjetër që lidhet me rastin.
Sipas burimeve, i dyshuari ka deklaruar se ishte menaxher i lokalit, ndërsa me urdhër të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është iniciuar procedurë për veprën penale “Blerja, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.
Me aktvendim të Prokurorit, Mirlind Maksutaj është dërguar në ndalim për 48 orë, ndërsa hetimet po vazhdojnë nga DHTN në Pejë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!