Një aksident trafiku me pasoja të rënda ka ndodhur këtë të shtunë në rrugën Zagrebi në Prishtinë, ku një këmbësore është goditur nga një veturë në lëvizje, raporton Gazeta Sinjali.
Ngjarja është regjistruar më 24 maj 2025 rreth orës 14:00, ku vetura e tipit BMW, ngjyrë e bardhë, e drejtuar nga Denis Deliu, 29 vjeçar, ka goditur këmbësoren G.B, 47 vjeçare.
Viktima ka marrë lëndime serioze trupore, ku pas ndihmës së parë në vendin e ngjarjes është dërguar me urgjencë në QKUK. Burime të Sinjalit brenda mjekësisë konfirmojnë se ajo ka pësuar frakturë në këmbën e majtë dhe do t’i nënshtrohet operacionit, ndërsa fatmirësisht është jashtë rrezikut për jetë.
Njësitë policore kanë kontaktuar me Prokurorin Kujdestar, i cili është njoftuar për rastin dhe po koordinohet për hapat e mëtejmë ligjor.
Hetimet janë në zhvillim për të sqaruar shkaqet dhe rrethanat e aksidentit.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!