Një person që u kap me kokainë të fshehur në çorap, ndërsa ndodhej në Qendrën e Mbajtjes në Prishtinë, rezulton të jetë i dyshuar edhe për një rast të rëndë vjedhjeje, përfshirë edhe një veturë të vjedhur, raporton Gazeta Sinjali.
Burime të sigurta brenda hetuesisë bëjnë me dije se Gurakuq Pireva, 41-vjeçar, përveç që u zbulua me substancë narkotike gjatë kontrollit në mbajtje, është i dyshuari kryesor në rastin e vjedhjes së raportuar më 29 prill 2025, në rrugën “Ymer Paqarizi” në Prishtinë, ku një person ka deklaruar se i janë vjedhur disa sende nga shtëpia dhe vetura e tij, një Seat Ibiza me ngjyrë të zezë.
Hetuesit kanë ndërmarrë veprime të menjëhershme dhe kanë arritur të sigurojnë prezencën e të dyshuarit, tek i cili është gjetur çelësi i veturës së raportuar si e vjedhur.
Gjatë intervistimit në prani të avokatit mbrojtës, Pireva ka pranuar se e ka vjedhur veturën, ndërsa me urdhër të Prokurorit kujdestar, ndaj tij është lëshuar aktvendim për ndalim prej 48 orësh për veprën penale “Vjedhje e rëndë”.
Aktualisht, Pireva po hetohet për dy raste penale: “Posedim i paautorizuar i narkotikëve” dhe “Vjedhje e rëndë”.
Gazeta Sinjali do të vijojë të raportojë për zhvillimet rreth këtij rasti që po zgjerohet me elemente të reja.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!