image Ekskluzive | 270 mijë euro mashtrim në Istog - dy motra të arrestuara, zbulohen emrat e katër të dyshuarve

Ekskluzive

Ekskluzive | 270 mijë euro mashtrim në Istog – dy motra të arrestuara, zbulohen emrat e katër të dyshuarve

news image

Kosovarët jo rrallëherë japin shuma të majme parash te personat jokompetentë për të kryer shërbime të ndryshme, të cilët më vonë rezultojnë të jenë vetëm mashtrues. Pre e një mashtrimi të tillë ka rënë edhe një 61-vjeçar nga Istogu, i cili ka paguar hiç më pak se 270 mijë euro për një lokal që është pronë e komunës. Numri i të arrestuarve tashmë ka shkuar në katër, raporton Gazeta Sinjali.

Policia në koordinim me Prokurorin e Shtetit kanë nisur hetimet dhe kanë arritur t’i kapin të dyshuarit, që tashmë ndodhen në ndalim policor.

Sinjali raportoi sot ekskluzivisht se dy të arrestuarit e parë janë Florentina Dakaj (rreth 25 vjeçare) dhe Berat Mehmetukaj (rreth 32 vjeçar) – teksa ka mësuar se dy të dyshuarit e tjerë janë motra e Dakajt, Liridona, si dhe Muharrem Nikçi.

Ndalimin e dy të dyshuarve të tjerë e ka konfirmuar për Sinjalin edhe zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se viktima e ka denoncuar rastin dhe ka raportuar se i ka paguar të dyshuarit 270 mijë euro për gjoja blerjen e një lokali.

Sipas dëshmisë së viktimës, të dyshuarit i kanë kërkuar paratë në vlera të ndryshme, të cilat ua ka dërguar qe rreth dy vjet.

Sinjali mëson se pas dhënies së deklaratës së viktimës dhe mbledhjes së informacioneve të para, Prokurori i Shtetit ka iniciuar rast në drejtim të veprës penale “Mashtrimi”.

Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/