image Ekskluzive: 20-vjeçari kapet me arsenal armësh në Zubin Potok – Granata dore të fshehura në tokë, armë dhe fishekë në gara

Ekskluzive

Ekskluzive: 20-vjeçari kapet me arsenal armësh në Zubin Potok – Granata dore të fshehura në tokë, armë dhe fishekë në gara

news image

Posedimi i armëve është shndërruar në një dukuri negative, pasi që përpos që është e kundërligjshme, po cenohet edhe siguria e qytetarëve. Policia vazhdimisht gjatë kontrolleve has në persona që posedojnë armë dhe sillen lirshëm me to. E këto raste bëhen akoma më të rënda kur përfshihen të miturit, raporton Gazeta Sinjali.

Një rast i tillë i armëmbajtjes pa leje është zbuluar dje në fshatin Çaber të komunës së Zubin Potokut, ku një 20-vjeçar është arrestuar nën dyshimin për mbajtje në pronësi ose posedim të paautorizuar të armëve.

Burimet brenda Prokurorisë bëjnë me dije se Shkumbim Uka, rreth 20-vjeçar, është kapur në flagrancë me dy granata dore të modelit M33-23, të cilat i kishte fshehur në një gropë afër shtëpisë.

Gjatë kontrollit në objektin përcjellës (garazh), policia ka gjetur dhe sekuestruar edhe: 1 pushkë të gjatë gjuetie (pa numër serik), 1 armë të shkurtër artizanale, 16 fishekë për gjueti në rrip brezi, 11 fishekë për armë të gjatë, 2 fishekë për armë gjuetie, 5 krehëra për fishekë të armëve të gjata dhe 1 palë dylbi.

Granatat janë sekuestruar nga njësia speciale për trajtimin e mjeteve të rrezikshme (NJTME), ndërsa armët dhe municioni janë konfiskuar si prova materiale nga njësitet hetimore të Policisë së Kosovës.

Lidhur me rastin, 20-vjeçari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me vendim të Prokurorit të Shtetit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Hetimet janë duke vazhduar, ndërsa Gazeta Sinjali do t’ju mbajë të informuar për zhvillimet e mëtejshme.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Shënim: Personi i apostrofuar në këtë artikull prezumohet i pafajshëm derisa fajësia e tij të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.

/GazetaSinjali/