Ekspertët e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) që po hetojnë origjinën e koronavirusit, kanë vizituar të dielën një treg në Wuhan, ku u raportuan rastet e para me sëmundjen COVID-19 një vit më parë.
Ekipi i OBSH-së arriti në tregun e kafshëve Huanan – që është mbyllur që prej janarit të vitit të kaluar – dhe rojet nuk lejuan persona të tjerë që të hynin.
Ky hetim i OBSH-së – që u pengua nga Kina që të zhvillohej më herët – ka për qëllim që të zbulojë se si koronavirusi kaloi nga kafshët te njeriu.
Por, zyrtarët e OBSH-së, që janë në fazën e parë të hetimit, kanë minimizuar pritjet se mund të gjejnë burimin e virusit që ka vrarë mbi dy milionë persona në mbarë botën dhe ka goditur rëndë ekonominë globale.
Ekipi i OBSH-së, që të dielën arriti në tregun Huanan, po monitorohet nga afër nga autoritetet kineze. /Gazeta Sinjali/