image Ekipet bujqësore në terren pas dëmeve nga breshëri në Istog, nis vlerësimi për rikuperimin e kulturave

Kosovë

Ekipet bujqësore në terren pas dëmeve nga breshëri në Istog, nis vlerësimi për rikuperimin e kulturave

news image

Pas dëmeve të shkaktuara nga breshëri në Komunën e Istogut, ekipet profesionale të institucioneve bujqësore kanë nisur vlerësimin në terren për të përcaktuar masat që do të ndihmojnë fermerët në rikuperimin e prodhimit.

Me kërkesë të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, ekspertët e Institutit Bujqësor të Kosovës dhe Departamentit të Shërbimeve Këshilluese dhe Teknike, në bashkëpunim me autoritetet lokale, po analizojnë gjendjen e kulturave bujqësore të prekura.

Vlerësimi po fokusohet në përcaktimin e dëmeve, ruajtjen e kulturave shumëvjeçare dhe nevojat për rimbjelljen e sipërfaqeve të dëmtuara.

Sipas ekspertëve, ndërhyrjet e shpejta agronomike dhe fitosanitare pas reshjeve me breshër janë të rëndësishme për të parandaluar përkeqësimin e gjendjes dhe për të rritur mundësinë e rikthimit të prodhimit.

Ministria ka bërë të ditur se rekomandimet profesionale do t’u dorëzohen fermerëve pas përfundimit të vlerësimeve, ndërsa është krijuar edhe një shtab për koordinimin e veprimeve ndërmjet institucioneve qendrore dhe lokale.

Në kuadër të masave të planifikuara për përballimin e dëmeve, pritet të përfshihen ndërhyrje të menjëhershme në bujqësi, mbështetje për rimbjellje dhe masa parandaluese për mbrojtjen e prodhimit nga fatkeqësitë natyrore.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/