image Incidentet në natën e Vitit të Ri: Tre të plagosur nga armët, gëzhojat e plumbave bien në dritare të banesave e në vetura

Siguri

Incidentet në natën e Vitit të Ri: Tre të plagosur nga armët, gëzhojat e plumbave bien në dritare të banesave e në vetura

news image

Gjatë natës së Vitit të Ri, mbi 270 persona kanë kërkuar trajtim mjekësor në Klinikën Emergjente të QKUK-së. 23 prej tyre kanë kërkuar ndihmë për shkak të aksidenteve, 5 për shkak të konflikteve fizike, 3 janë plagosur me armë zjarri, ndërsa 25 janë lënduar nga mjetet piroteknike.

Gëzhojat e plumbave qorr të shkrepur mbrëmë gjatë festës së ndërrimit të motmoteve, kanë rënë  mbi disa vetura në Prishtinë, Pejë, Gjilan e Prizren. Përveç në automjete, edhe brenda shtëpive kanë depërtuar predhat, por fatmirësisht në asnjërin prej këtyre rasteve nuk ka pasur të lënduar.

Ndërkohë në Hajvali është plagosur një person nga të shtënat me armë, i cili më pas është dërguar në spital për trajtim mjekësor. Rasti tjetër është raportuar në rrugën “Zenel Xhonlekaj” po ashtu në Prishtinë, ku është lënduar një 15-vjeçar. 

Gazeta Sinjali raportoi sot se edhe një pjesëtar i Forcës së Sigurisë së Kosovës po dyshohet për një rast të shkaktimit të rrezikut në Gjilan, ku gjuajti me armë.

Për rastin është njoftuar edhe FSK-ja, ndërkohë që ndaj tij janë iniciuar dy raste Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se ushtari i dyshuar për këtë rast është Landrit Hoti, 25-vjeçar, i cili po dyshohet për dy vepra penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorimi i armës”.

Ndryshe, Policia e Kosovës për disa ditë me radhë ka bërë thirrje që për natën e ndërrimit të motmoteve të mos përdoren armë.

Nga festimet e natës së mbrëmshme sipas Policisë së Kosovës nuk ka pasur asnjë rast tragjik, përveç disa incidente me lëndime trupore dhe dëme materiale si pasojë e përdorimit pakujdesshëm i mjeteve piroteknike dhe armëve të zjarrit.

/GazetaSinjali/