image Edi Rama e quan gënjeshtar Ramush Haradinajn, përplasen për liberalizim të vizave

Politikë

Politikë/ Edi Rama e quan gënjeshtar Ramush Haradinajn, përplasen për liberalizim të vizave

news image

Në mbyllje të samitit të Mini Shengenit ballkanik në Tiranë, kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, e ka quajtur homologun e tij kosovar Ramush Hardinajn, një gënjeshtar.

Kjo deklaratë e Ramës vjen pasi Haradinaj mohoi se nuk kishte pranuar ofertën e presidentit francez Emmanuel Macron për pezullimin me 4 muaj të taksës ndaj Serbisë me qëllim liberalizimin e vizave.

“Një ndërhyrje prej një të padituri klasik. Si bëhet kjo? Unë po them që nuk ka asnjë nyje detyruese. Haradinaj është një gënjeshtar që ka gënjyer përsëri. Gënjen nga padija apo me qëllim nuk ka arritur ta zbuloj. Por është një gënjeshtar. Kjo nismë ka thjesht një qëllim të zbatojë marrëveshjet mes të gjitha vendeve. Unë dua që në këtë proces të fusim edhe elementë të  tjerë”, është shprehur Rama.

I pyetur nëse ndjen përgjegjësi për mungesën e Kosovës në samitin e Mini Shengenit ballkanik, Rama ka thënë se do të ndjente përgjegjësi personale nëse Kosova nuk do ishte e ftuar apo nëse do kishte ndonjë kusht për Kosovën.

“Unë e kam arritur atë që të tjerët nuk e kanë arritur dot, që Serbia të vijë në tavolinë pa kushte. Serbia duhet të njohë Kosovën, por ndërkohë jemi në realitetin e jetës që  bëjmë për ta kuptuar këtë duhet të jemi në nivelin e largpamësisë. Dje isha hero kur isha në Beograd dhe kërkova ballë për ballë njohjen e Serbisë për Kosovën dhe sot jam tradhtar. Po dua të di çfarë do thoni nesër kur Kosova të vijë të ulet në tryezë”, tha ai.

Reagimi i  Ramës vjen pas komentimeve të sotme të kryeministrit në detyrë të Kosovës rreth deklaratës së kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, se “nëse kryeministri Haradinaj do të dëgjonte presidentin francez Emmanuel Macron për të hequr taksën tash Kosova do të kishte liberalizim të vizave”. /Gazeta Sinjali/