Spitali i Gjakovës e ka përgënjeshtruar deklaratën e deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha se në këtë spital kanë vdekur 5 persona për vetëm dy orë.
Përmes një reagimi në Facebook, spitali ka kërkuar që të mos përhapen informata të paverifikuara, shkruan Gazeta Sinjali.
“Demantojmë Deputetin e VV, Agon Batusha. Kërkojmë qe të keni kujdes mos të përhapin informata të paverifikuara nga spitali. Nuk qëndron lajmi se kane vdekur 5 persona. Duhet të dihet se morgu i Spitalit shfrytëzohet edhe për pacientë që vdesin në kushte normale, për pacientë që vdesin në qendra tjera apo paciente që vdesin shtëpi, mirëpo familjaret i lejnë kufomat në morg deri në ditën e varrimit”, thuhet në reagim.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Gjakovës, Ferdinand Kolaj, në një prononcim për Gazetën Sinjali, po ashtu e ka përgënjeshtuar deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha. Ai tha se gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Gjakovës kanë vdekur 3 pacientë të infektuar me koronavirus.
“Jo, nuk është e vërtetë ajo çka tha deputeti i VV-së, nuk kanë vdekur 5 persona. Gjatë 24 orëve të fundit në Spitalin e Gjakovës kanë vdekur 3 pacientë të cilët ishin të prekur me koronavirus”, tha ai.
Përmes një postimi në Facebook, deputeti i LVV-së ka thënë se situata me koronavirus është jashtë çdo kontrolli, duke thënë se janë regjistruar 5 vdekje për dy orë.
“5 vdekje nga COVID-19 brenda dy orësh në Spitalin e Gjakovës. Situata është jashtë çdo kontrolli. Ruajeni veten aman! Shmangni daljet e panevojshme, mbani maskën në çdo moment dhe mbani higjienën personale. Kjo qeveri është pajtuar me vdekjen”, ka thënë Batusha. /Gazeta Sinjali