Ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës, Saudin Maliqi, thotë se QKUK-ja ka në dispozicion edhe dy mijë shtretër për pacientët e prekur me koronavirus, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka bërë të ditur se këta shtretër janë të ndarë në disa klinika që ka QKUK-ja.
“Qendra Klinike është mjaft e madhe dhe ka mbi dy mijë shtretër. Qendra Klinike Universitare, ka në dispozicion disa klinika, këto klinika janë quajtur klinika COVID. Një nga to është Klinika Infektive, Klinika e Pulmologjisë, Klinika Interne , blloku që tashmë është adoptuar, është dizajnuar dhe destinuar për COVID, bashkë me mjekimin qendror intensiv COVID, duke na lënë e duke e pasur parasysh edhe klinikën rezervë, e cila është Klinika e Mjekësisë Sportive”, tha Maliqi për REL.
Tutje, Maliqi ka shtuar se QKUK-ja ka oksigjen të mjaftueshme dhe se asnjë pacientë nuk është lënë pas dore nga ndonjë mungesë.
“Ne, jemi duke marrë masat maksimale dhe besoj se do t’ia arrijmë. Tani jemi stabil është një gjendje e kontrollit të plotë. S’ka pacient që nuk është duke e marrë trajtimin adekuat, mjekët adekuat, ndihmën adekuate, përkrahjen adekuate. Ka oksigjen të mjaftueshme dhe asnjë pacient në mbarë Kosovën, nuk është i lënë nga kjo e drejtë për shkak të ndonjë mungese që eventualisht mund të potencohen”, ka thënë Maliqi.
Ai gjithashtu ka njoftuar se të hënën, QKUK-ja do të ketë edhe një operator i cili do të licencohet dhe do të prodhojë oksigjenin për krejt nevojat e Kosovës.
“Pra, deri të hënën veç do ta kemi edhe një operator të ri, i cili licencohet në Kosovë dhe kjo është mrekullia që ai do të prodhojë oksigjenin për krejt nevojat e Kosovës këtu dhe nuk kemi nevojë të varemi nga importi dhe do të jemi shumë të relaksuar, sepse produktin kryesor, i cili është më i konsumuari, ne do ta kemi të siguruar”, ka thënë ai./Gazeta Sinjali/