image Edhe një shtet dërgon pajisje ushtarake në Ukrainë

Botë

Edhe një shtet dërgon pajisje ushtarake në Ukrainë

news image

Holanda planifikon të dërgojë pajisje ushtarake në Ukrainë, duke përfshirë pushkë, municione, sisteme radari dhe robotë për zbulimin e minave, tha qeveria të premten (18 shkurt).

“Ne vazhdojmë të synojmë për një zgjidhje diplomatike”, tha ministri i Jashtëm Wopke Hoekstra.

“Por në të njëjtën kohë Ukraina duhet të jetë në gjendje të mbrohet kundër një sulmi të mundshëm rus”, tha ai.

Ministria ruse e Mbrojtjes ka njoftuar se të shtunën, 19 shkurt, do të mbahen stërvitje të reja ushtarake, të cilat do të mbikëqyren nga presidenti rus, Vladimir Putin, në kohën e shqetësimeve se Kremlini mund të jetë duke u përgatitur për pushtim të Ukrainës.

Në stërvitje është thënë se do të marrin pjesë trupa dhe pajisje të forcave të hapësirës ajrore nga rajoni jugor, ai verior dhe Deti i Zi.

Inteligjenca amerikane vlerëson se rreth 130,000 trupa dhe pajisje ushtarake gjenden në zonat në kufi me Ukrainën, raporton REL.

Kremlini këmbëngul se NATO nuk duhet ta pranojë kurrë Ukrainën dhe duhet të tërheqë forcat e saj pranë kufijve të Rusisë.

Por Perëndimi ka refuzuar atë që e quan ofertë nga Moska për të diktuar të ardhmen e partnerëve të pavarur dhe e kërcënoi Moskën me “kosto të rënda” nëse sulmon Ukrainën.

/GazetaSinjali/