image Edhe një punëtor lëndohet në vendin e punës në Vushtrri, rrëzohet nga pesë metra lartësi

Siguri

Edhe një punëtor lëndohet në vendin e punës në Vushtrri, rrëzohet nga pesë metra lartësi

news image

Punëtorët në Kosovë përballen me sfida të shumta, e ndër to janë edhe kushtet në vendet e punës dhe rreziku që u kanoset. Jo rrallëherë ata e pësojnë keq, madje edhe tragjikisht, qoftë në ndërtimtari, apo edhe në sektorë të tjerë. Një rast i tillë i lëndimit në punë ka ndodhur edhe gjatë ditës së sotme në Dobërllukë të Vushtrrisë, raporton Gazeta Sinjali.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se një punëtor i një kompanie private, derisa ka qenë duke punuar në një objekt, është rrëzuar nga rreth 5 metra lartësi dhe për pasojë ka marrë lëndime trupore.

Viktima, i moshës 23-vjeçare fillimisht është dërguar në Emergjencën e Vushtrrisë e më pas u transferua në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, për trajtim të mëtutjeshëm.

Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë policore edhe inspektorët e punës të cilët kanë kryer ekzaminimet nëse janë plotësuar apo jo kushtet e punës dhe masat e sigurisë.

Me urdhër të Prokurorit të Shtetit rasti është iniciuar si “Asgjësim, dëmtim ose heqje e pajisjeve mbrojtëse dhe rrezikshmërinë e sigurisë në vendin e punës”.

/GazetaSinjali/