image Arrestohet një person për rastin në “Veternik” ku hajni mbeti i vrarë

Kosovë

Ekskluzive/ Arrestohet një person për rastin në “Veternik” ku hajni mbeti i vrarë

news image

Gzim Braholli, njëri prej grabitësve që dyshohet se kishte tentuar të futet në shtëpinë e Ridvan Beqirit për të vjedhur në nëntor të vitit të kaluar në lagjen “Veternik” është arrestuar gjatë ditës së mërkurë në Prishtinë, raporton Sinjali.

Gjatë kësaj tentim grabitje Kujtim Krasniqi 40-vjeçar kishte mbetur i vdekur, pasi pronari i shtëpisë, Ridvan Beqiri në vetëmbrojte ishte përleshur me grabitësit. Nga ajo përleshje Krasniqi kishte mbetur i vrarë, një grabitës që ishte plagosur së bashku me dy të tjerë kishin arritur të iknin nga vendi i ngjarjes. Në mesin e grabitësve Sinjali merr vesh se i dyshuar është Gëzim Braholli.

Sinjali nga burimet e sigurta merr vesh se pas 10 muajve në arrati, gjatë ditës së mërkurë është arrestuar Braholli që po dyshohet se kishte qenë pjesë e kësaj tentim grabitje ku një person kishte vdekur.

Ai dy ditë më parë siç merr vesh Sinjali është arrestuar për një çështje krejt tjetër, por pas arrestimit Policia e Kosovës ka identifikuar si person që dyshohet si bashkë-grabitës me Kujtim Krasniqin. Për arrestimin e tij ishte lëshuar edhe urdhër arrest nga Policia e Kosovës.

Braholli së bashku me një person tjetër është arrestuar në mes të ditë në rrugën “Shefqet Shkupi” në Prishtinë. Ai së bashku me një person tjetër janë arrestuar pasi për shkak të një prone kanë detyruar një person të paguaj 93 mijë euro.

Ky rast është konfirmuar nga Policia e Kosovës në raportin 24 orësh për ditën e mërkurë.

“Rr. ‘Shefqet Shkupi’, Prishtinë   04.09.2019 – 12:00. Janë arrestuar dy të dyshuar meshkuj K-Shqiptarë nën dyshimin e bazuar se të njëjtit lidhur me një pronë kanë detyruar dy viktimat meshkuj K-Shqiptarë që të paguajnë 93.000 (nëntëdhjetë e tremijë) € për të shfrytëzuar pa problem pronën. Me vendim të prokurorit të dyshuarit janë dërguar në mbajtje”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës.

Laureta Ulaj, nga Prokuroria Themelore e Prishtinës ka konfirmuar për Sinjalin se dy persona që janë arrestuar në Prishtinë për detyrim dhe se u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

Ajo ka konfirmuar se njëri prej personave të arrestuar dyshohet se është i përfshirë në tentim grabitjen që kishte ndodhur në “Veternik”.

“Mund të konfirmoj se të mërkurën janë arrestuar dy persona nën dyshimin për detyrim, ndërsa ndaj tyre është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve. Po ashtu prokurori i rastit ka dhënë urdhër për intervistim të njërit prej të dyshuarve edhe për një rast grabitje që dyshohet të ketë qenë i përfshirë”, ka deklaruar Ulaj për Sinjalin.

Por çfarë kishte ndodhur në grabitjen në lagjen “Veternik”

Natën e 27 nëntorit Kujtim Krasniqi së bashku me tre grabitës të tjerë, njëri prej të cilëve u arrestua të mërkurën, kishin mësyrë shtëpinë e Ridvan Beqirit për ta grabitur. 4 grabitësit duke u futur në shtëpinë e Beqirit në ‘Veternik’ ishin vërejtur nga pronarët e shtëpisë.

Ridvan Beqiri ishte përfshirë në përleshje me katër grabitësit me të cilët ishin shkëmbyer të shtëna me armë zjarri.

Nga gjuajtjet me armë zjarri kishte mbetur i vrarë, grabitësi Kujtim Krasniqi si dhe një tjetër ishte plagosur, por që i cili kishte arritur të ikte së bashku me shokët e tjerë.

Kujtojmë se Krasniqi para se të vritej në ‘Veternik’ ishte arrestuar ditë më parë për një plaçkitje tjetër nga Policia e Kosovës, por që në mungesë të provave ishte lënë i lirë./Sinjali/