Tash e disa javë, një veturë e tipit BMW me ngjyrë të gjelbër është shndërruar në makth për qytetarët e Prishtinës, kryesisht të pjesës kah lagjja Mati, raporton Gazeta Sinjali.
Muzika me zë kumbues që shqetëson banorë të asaj zone, ka detyruar ata që këtë problem ta adresojnë përmes rrjeteve sociale.
Faqja në Facebook që administrohet nga qytetarët dhe evidenton parregullsitë në kryeqytet ‘Vrojtuesit e lagjes’, ka publikuar disa herë video të veturës në fjalë, e cila endet rrugëve me muzikë me zë tejet të lartë.
Një video e tillë është publikuar edhe gjatë ditës së djeshme nga Vrojtuesit, e që më pas u ripublikua edhe në faqen e Gazetës Sinjali në Facebook.
“U ndal me bo show ne ora 16:00 ne parking te Vives, ku ne katin e 8 po degjohet keshtu!!!”, thuhet në postimin e Vrojtuesve të Lagjes, teksa të njëjtit kanë etiketuar edhe faqen e Policisë së Kosovës.
E këto postime si duket e kanë shqetësuar shoferin e veturës, Refki Hajzeri.
Hajzeri mëngjesin e sotëm është lajmëruar në redaksinë e Gazetës Sinjali, ku ka bërë kërkesë që të largohet videoja duke thënë se nga ora 10:00 e mëngjesit e deri në orën 22:00, ka të drejtë të lëshojë muzikë me aq zë sa do.
Për “t’u marrë vesh”, ai kërkonte që të bisedojë me një burrë, duke thënë se “s’kam qejf me folë me gra”.
“Prej 10-ve të ditës deri në 10 të natës sa dush kom drejtë me lshu. Unë po kom qef me folë me naj burrë nëse ka mundësi, se s’kom qef me folë me gra hiç, me femna s’kom qef me folë. Postimin ma fshin, qekaq. Prej 10-ve të ditës deri në 10 të natës kom t’drejtë me lshu muzikë”, tha Hajzeri.
Shoferit të BMW-së iu sqarua që videoja është publikuar nga Vrojtuesit e Lagjes, për të cilët ai pati një ‘selam’.
“O nuk po muj me gjetë numrin e atina se atij pa ia çky gojën, po ai mu ma bon bllok në Facebook. Në mujsha me gjetë ata të Vrojtuesve e di unë vet çka boj”, vazhdoi më tej Hajzeri.
Krejt në fund, ai tha se e gjithë kjo nuk ka marrë fund, duke thënë se do vazhdojë avazin e njëjtë me muzikën që lëshon në veturën e tij, pavarësisht shqetësimit të qytetarëve.
“Vallahin jo me i shqetësu, po nanën kom me jau q* se hala se kom kry krejt. Edhe nihere qaq kom ma jau ba. Ai që është trim nuk guxon me m’ba video po duhet me m’dalë në udhë.”, tha ai.