image Edhe Ministria e Nagavcit me shkelje, subvencionoi dy OJQ në vlerën e mbi 80 mijë eurove pa i plotësuar kriteret

Arsim

Edhe Ministria e Nagavcit me shkelje, subvencionoi dy OJQ në vlerën e mbi 80 mijë eurove pa i plotësuar kriteret

news image

Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë ka bërë shkelje vitin e kaluar, kur i ka subvencionuar dy organizata joqeveritare.

Sipas gjetjeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit, MASHT i ka subvencionuar dy OJQ në vlerë 81 mijë e 143 euro, pa i plotësuar të gjitha kriteret, raporton Gazeta Sinjali.

“Në thirrjen publike për ofrimin e mbështetjes financiare për financimin e projekteve të OJQ-ve që drejtojnë qendra mësimore që mbështesin nxënësit romë, ashkali dhe egjiptianë, si dhe nxënës të tjerë, që kontribojnë në arritjen arsimore, kërkohej dëshmi para nënshkrimi të kontratës që personi përgjegjës në OJQ nuk është nën hetime për vepër penale, dhe dëshmi nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) se OJQ-ja nuk ka borxhe tatimore dhe detyrime të tjera të papaguara. Në dy (2) mostra të testuara në vlerë 41,463€ respektivisht 39,680€, vërejtëm se OJQ-të përfituese nuk kishin ofruar dëshmi para nënshkrimit të kontratës, se personi përgjegjës në OJQ nuk është nën hetime për vepër penale (dëshmitë janë ofruar gjatë auditimit në muajin maj 2022). Kurse njëra OJQ nuk kishte ofruar dëshmi vërtetimin për të dëshmuar se nuk ka borxhe ndaj ATK-së, por kishte ofruar një deklaratë që ka probleme teknike në sigurim të vërtetimit në ATK”, thuhet në publikimin e ZKA-së.

Krejt kjo sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit kishte ndodhur si rezultat i pa përgjegjësisë.

“Kjo kishte ndodhur si rezultat i pa përgjegjësisë nga ana e personave të obliguar për tu siguruar se gjithë procesi ishte zhvilluar në pajtueshmëri të plotë me kërkesat e thirrjes publike. Ndikimi Mos përfillja e plotë e kërkesave të kërkuara me thirrjen publike mund të rezultojë në përzgjedhje jo të drejt e të bazuar në kërkesa ligjore, shkelje të parimit për trajtim të barabartë të aplikuesve duke rrezikuar që mjetet të mos shpenzohen për qëllimin e dhënë”, thuhet tutje në raport.

ZKA i ka rekomanduar ministres të siguroj që kriteret e vendosur në thirrjen publike të aplikohen në tërësi dhe që kontratat të nënshkruhen vetëm pasi të jenë plotësuar të gjitha kërkesat e përcaktuara në thirrjen publike.

/GazetaSinjali/