image Edhe këtë të premte xhamitë mbyllur për namazin e xhumasë, myftiu Tërnava ka një mesazh

Kosovë

Lutje/ Edhe këtë të premte xhamitë mbyllur për namazin e xhumasë, myftiu Tërnava ka një mesazh

news image

Në asnjë xhami të Kosovës, as këtë të premte nuk është falur namazi i xhumasë.

Besimtarët myslimanë kanë respektuar vendimin e BIK-ut për të pezulluar për një kohë lutjet e përbashkëta, si masë për mbrojtjen ndaj koronavirusit.

Myftiu Tërnava sot në kohë të xhumasë iu adresua të gjithë besimtarëve duke u lutur tek Zoti ta ruajë njerëzinë nga infektimi me Covid-19.

Mesazhi i xhumasë:

Me emrin e Zotit të Mëshirshëm, Mëshirëbërës
Të nderuar besimtarë
Të nderuar qytetarë
Vëllezër e motra!

Falënderimet i takojnë Allahut , Krijuesit të botëve, të  Mëshirshmit Mëshirëplotit, salatet e selamet tona ia dërgojmë Muhamed Mustafasë  familjes së tij të pastër  e shokëve të tij besnik.

Duke ju dëshiruar shëndet e mbarësi, edhe sot në vaktin e xhumasë  jam me ju që bashkërisht  të jemi në  këtë format me ibadete e lutje  për të qenë më afër rahmetit të Krijuesit  të Gjithësisë, Allahut xh.sh.

Është java e tretë prej që ne në vendin tonë, për shkak të pandemisë nuk falim namazin  e xhumasë, këtë  vendim e kemi marrë jo nga dëshira e vullneti ynë, porse jemi të detyruar  të marrim një vendim të tillë në mënyrë që të  ruajmë shëndetin tonë dhe të më të dashurve tonë, ngase siç dihet, muajt e fundit njerëzimi po përballët me virusin Covid-19, që tashmë ka marrë përmasat e pandemisë.

Për të evituar infektimin me këtë virus, nga institucionet shëndetësore  na është kërkuar e na është këshilluar, ashtu siç edhe ne kemi kërkuar e këshilluar që të qëndrojmë në shtëpinë tonë, një lloj vet izolimi që ka  për qëllim të shmang  përhapjen e virusit
COVID-19.

Ky izolim, para së gjithash kërkon përgjegjësi ndaj situatës në të cilin gjendemi, pastaj kërkon vet disiplinë, qetësi, durim e optimizëm.

Ne si popull jemi përballuar gjatë historisë sonë me sfida  nga më të ndryshmet, mirëpo siç dihet fal vetëbesimit, vet disiplinës e besimit në atë që kemi pas për objektiv ia kemi dal me sukses.

Ne si besimtarë që jemi besojmë thellë, dhe e njohim kaderin e Zotit, padyshim se jemi shumë të përgatitur shpirtërisht që të përballemi me këtë fatkeqësi me ndjesi maksimale por edhe me qetësinë e duhur, pa frikë, pa ankth e pa stres.

Frika, ankthi e stresi jo që nuk ndihmojnë në tejkalimin e vështirësive si në rastin tonë të pandemisë me të cilin përballemi, por përkundrazi e favorizojnë atë, krijojnë gjendje të rënduar psiqike e mendore dhe në këtë mënyrë vijmë edhe deri te dobësimi i vetëbesimit tonë  e përkushtimit  të mësimeve dhe këshillave  që na janë dhënë.

Me këtë assesi nuk dua të them që mos të jemi të kujdesshëm ndaj situatës në të cilën veç jemi, kur jemi të detyruar që të qëndrojmë në shtëpinë tonë si masë  mbrojtje nga pandemia, por dua  të them që gjatë kësaj kohe  sa jemi pranë familjes ta kalojmë  kohën afër tyre , me ta e për ta, duke mos mbjellë frike, panik, ankth e stres.

Metoda më e mirë për ta kaluar sa më mirë, e sa më lehtë  qëndrimin në shtëpi, është planifikimi dhe organizimi i ditës e javës në kushtet që jemi, ky organizim duhet te ketë rrjedhën normale të jetës pa frikë e ankth e pa stres, natyrisht  gjithsesi me kujdes maksimal sepse përballemi me një virus vdekjeprurës.

Pas marrjes se masave te duhura, për largimin e frikës si veprim i parë është padyshim mbështetja tek Zoti dhe kërkimi i ndihmës prej Tij. Mbështetja në Zotin është hapi i parë që largon frikën dhe ofron  siguri e optimizëm për besimtarët, shih  për këtë Allahu në Kuranin fisnik na mëson e thotë se “ Kush i frikësohet All-llahut, Zoti  do ti bëjë rrugëdalje nga çdo vështirësi dhe do t’i sjellë  furnizim prej nga as nuk mund ta mendonte.

Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu atëherë Zoti do t’i mjaftojë atij plotësisht” (Talak: 2-3) .

Mbështetja te  Zoti së bashku me veprën e mirë duke u shoqëruar me durim, disiplinë, mirësjellje, qetësi dhe udhëzim në të mira i ofron besimtarit qetësinë  e nevojshme e psikologjike që në këtë kohë është shumë e nevojshme së pari për kryefamiljarët për tu bartur tek e tërë familja.

Ilaqi më  i mirë në largimin e frikës është Namazi, i cili ska dyshim se është mjeti shpirtëror më i rëndësishëm në mbrojtjen nga ankthi dhe frika si dhe  nga çdo e keqe në jetë, për këtë ilaç  Allahu na mësoi  në Kuran duke na urdhëruar që në situata të vështira sikur kjo e jona dhe në  fatkeqësi të kërkojmë ndihmën e Zotit  përmes dy veprimeve konkrete , Zoti xh.sh. në Kuran  na mëson e thotë ”Dhe kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz,  është e vërtetë se kjo është tejet e vështirë përveç se për  besimtarët e vërtetë”

(El-Bekare: 45).

Gjatë kësaj kohe  rol të rëndësishëm ka kujdesi ndaj familjeve tona, duke u nisur që nga fëmijët duke u kujdesur për edukimin dhe mësimet e tyre, kujdesi mes bashkëshortëve për njëri tjetrin , e sidomos kujdesi  ndaj prindërve  në moshë  që në asnjë moment të mos kenë ndjenjën e vetmisë.

Këto të gjitha që i potencova i kemi obligime gjithherë, mirëpo në këtë kohë duhet sforcuar edhe më shumë me të vetmin qëllim që koha jonë  të ketë një organizim sa më normal edhe  në kushte të izolimit, që dita jonë, java jonë të kaloj me mirësi e bereqet, me punë të mira e të hajrit në njërën anë, dhe në anën tjetër që të jemi sa më larg me vëmendje nga frika ankthi e stresi.

Të nderuar vëllezër e motra,

Me lejoni qe edhe njëherë  të sjellë në vëmendjen tonë, se jemi të obliguar  të ruajmë shëndetin, të ruajmë familjet tona, e të ruajmë vendin tonë.

Me emrin e Zotin edhe këtë sfidë do e kalojmë  dhe lutem  për të gjithë ata që po përballen me këtë pandemi që Zoti  tu jap forcë, dije e durim, sikur e lusim Zotin që t’i ruaj të gjithë  ata që sot  janë në krye të detyrës për të ruajtur shëndetin e sigurinë tonë, si dhe për të  gjithë ata që kontribuojnë  sado pak  të tejkalojmë edhe këtë sfidë.

Vëllezër e motra,

Veprimi më i mirë dhe  më i përgjegjshëm tani është qëndrimi në shtëpi, kujdesi për vetën, familjen e komunitetin,- ky është kontributi më i madh që japim ne si qytetarë në parandalimin e përhapjes së pandemisë, – kjo kërkohet nga ne dhe këtë  duhet ta  bëjmë në mënyrën më të mirë.

Është e vërtetë se na janë kufizuar disa veprime, por të gjitha këto masa janë në funksion të ruajtjes së shëndetit, e ruajtjen e shëndetit e kemi obligim.

Andaj edhe një herë ju ftoj, të qëndroni në shtëpi, me shpresë te i Madhi Zot që shpejtë do e tejkalojmë edhe  këtë situatë.

Në këtë vakt të bekuar të xhumasë, bashkërisht Lusim Zotin që të ruaj njerëzinë mbarë nga infektimi, ndërsa të prekurve shërim sa më të shpejtë, e rahmetlinjve mëshirë nga Zoti i Gjithësisë.

O Zoti  Ynë, ruaje popullin dhe vendin tim  se vërtetë Ti je mbrojtësi me i mirë!