Ndonëse presidenti i vendit, Hashim Thaçi ka edhe gjashtë muaj mandat në këtë post, në skenën politike kanë filluar të lakohen emra për të parin e shtetit, shkruan Gazeta Sinjali.
Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ditë më parë u propozua për president i pari i saj, Ramush Haradinaj. Edhe nga Aleanca Kosova e Re shprehën dëshirën që postin e presidentit të shtetit ta marrë lideri i kësaj partie, Behgjet Pacolli. Por, ky i fundit më vonë doli me një reagim ku u shpreh se Kosova e ka presidentin e saj.
Së fundmi, edhe nga Nisma Socialdemokrate kanë deklaruar se kreu i kësaj partie është i duhuri për president të shtetit.
Përmes një postimi në Facebook, anëtari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Leotrim Berisha tha se do të ishte krejtësisht normale nëse debati për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri do të imponohej nga afatet kushtetuese.
Sipas tij, në këto gjashtë vitet e fundit si kryetar partie, Fatmir Limaj ka dëshmuar se është politikan që asnjëherë nuk e ka vendosur interesin shtetëror para atij partiak.
“Do të ishte krejtësisht normale nëse debati për çështjen e zgjedhjes së presidentit të ri do të imponohej nga afatet kushtetuese. Poashtu do të ishte legjitime të shpallen kandidatura e të shprehen ambicie për postin e presidentit, për sa kohë që ky debat nuk do të ishte nxitur nga propozim aktakuza në Gjykatën Speciale. Megjithatë më përfundimin e mandatit të presidentit aktual, vendit i duhet një president unifikues, dikush që nuk nxitë përçarje në shoqëri dhe i cili mund t’i bëjë bashkë pozitë e opozitë sa herë që ka nevoje vendi. Por, kush do të ishte ideal për president? FATMIR LIMAJ”, ka shkruar ndër të tjera Berisha. /Gazeta Sinjali/