Gjykata e Apelit sot ka anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Ferizaj, e cila më 7 korrik të këtij viti, e kishte dënuar më burgim të përjetshëm të akuzuarin Naser Pajazitajn, për vrasjen e Donjeta Pajazitajt. Këtë vendim e ka kundërshtuar vëllai i të ndjerës Shkelqim Pajazitaj, i cili në një prononcim për Gazetën Sinjali është shprehur i mllefosur për anulimin e këtij vendimi.
Shkelqim Pajazitaj tha se gjykata ka fakte të mjaftueshme që Naser Pajazitaj është fajtor dhe nuk e di se si kanë arritur ta marrin një vendim të tillë.
Ai madje thotë se edhe vajza e të akuzuarit ka dalë kundër babait të saj pas ngjarjes tragjike, shkruan Gazeta Sinjali.
“Nuk e di qysh Gjykata ka mundur të marr kësi lloj vendimi, kur ka pasur fakte të mjaftueshme, e të gjitha faktet të çojnë se ky është fajtori, e qysh mundet gjykata me hedhë poshtë këtë kur çika e tij ka qenë kundër tij, u fjalos me babën e saj në polici e në prokurori kur e kanë marrë”, ka thënë ai.
Ndër të tjera ai është shprehur se kanë pritur se do të zbulohen detaje të reja për vrasjen që tronditi familjen e tyre dhe jo anulimin e dënimit me burgim të përjetshëm.
“Ne kemi menduar se do të zbulojmë ndonjë arsye rreth kësaj vrasje, ata e kanë liruar prej aktakuze. Do ta shikojmë se cak do të merr vendim prokuroria ajo e ka në duar”, ka përfunduar vëllai i Donjetës Shkëlqim Pajaziti.
Në vendimin e Apelit thuhet se në aktvendimin e gjykatës së shkallës së dytë ka pasur shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale.
“Me aktgjykimin e lartcekur të Gjykatës Themelore në Ferizaj, i akuzuari N.P. është shpallur fajtor për shkak të veprave penale vrasje e rëndë nga neni 179, paragrafi 1, nën-paragrafët 4 dhe 12 të KPRK dhe dy veprave penale mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK, ndërsa për shkak të këtyre veprave penale, ndaj të akuzuarit në fjalë është shqiptuar dënimi me burgim të përjetshëm”.
Kujtojmë se Naser Pajazitaj është kushëri i familjes së viktimës. Ai fillimisht ishte liruar nga akuzat për mungesë të provave. Në mars të vitit 2019, ai u gjet fajtor dhe u dënua me burg të përjetshëm, por rasti u kthye në rigjykim.
Donjeta Pajazitaj u gjet e vdekur në bjeshkët e Strellcit në komunën e Deçanit, në dhjetor të vitit 2015.