Edhe Gjykata e Apelit në Vlorë ka lënë në burg Mihal Kokëdhimën, i cili dhunoi turistët spanjollë. Avokatët e tij kishin kërkuar lirimin, por Gjykata e Apelit vendosi që ta lërë me masën arrest me burg Kokëdhimën, i cili deri në fund të hetimeve duhet të qëndrojë në qeli, derisa gjykata të japë vendimin për të.
Sipas mbrojtjes Kokëdhima nuk ka kryer vepër penale por kundravajtje penale. I pyetur nga gjyqtarja, Kokëdhima në lot tha se rrethanat e ngjarjes nuk janë ato që aludohen nga video- skandali.
“Më morën zvarrë me makine! Ç’është kjo punë?! Nuk kam prekur njeri me dorë, ku i kanë faktet që i qëllova. Më rrëzuan në Qeparo nga makina, si ka mundësi?! Nuk e theva xhamin për t’i dëmtuar, por për t’u mbajtur,” deklaroi ai gjatë seancës gjyqësore”.
“Unë u mora targën, telefonova policinë, ata futën marshin të më shtypnin dhe unë u hodha në makinë. Kam dy fëmijë në shkollë në Gjermani, ne dy muaj punojmë. Më lini te punoj,” shtoi ai, ndërsa u dakordësua me kërkesën e avokatit mbrojtës për garancinë pasurore.
Incidenti midis Kokëdhimës dhe turistëve spanjollë u regjistrua pak ditë më parë, ndërsa në videon e publikuar, biznesmeni nga Himara duket i varur në pjesën e përparme të makinës ndërsa godet me grusht dhe me telefon xhamin e makinës derisa e thyen.