Policia e Kosovës ka bërë të ditur se alarmi i dytë për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, ka rezultuar të jetë i rremë.
Lajmin për Sinjalin e ka konfirmuar zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, e cila tha se në hapësirat e aeroportit nuk është gjetur asgjë e dyshimtë.
“Pas ndërmarrjes së të gjitha veprimeve të nevojshme operative si dhe kontrollit të detajuar të hapësirës së caktuar nga ana e njësive të specializuara për menaxhimin me mjetet shpërthyese, nuk është gjetë asgjë e dyshimtë. Rasti po trajtohet nga njësitet kompetente”, është shprehur Ahmeti,
Kujtojmë se në mbrëmjëm e sotme, Policia e Kosovës, ka pranuar një tjetër informatë për alarm për bombë në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”.
“Rreth orës 19:00 është pranuar një informatë tjetër, për dyshimet që ndërlidhen me një shpërthim të mundshëm në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka nisur ndërmarrjen e veprimeve operative të nevojshme për të menaxhuar me situatën”, ka thënë Ahmeti.
Ky ishte alarmi i dytë për bombë brenda ditës së sotme në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” në Prishtinë, ku në rastin e parë, alarmi për bombë doli të jetë i rremë.