Edhe 10 persona tjerë brenda anijes gjigante në portin japonez Jokohama janë duke vuajtur nga coronavirusi, pasi që mbrëmë janë konfirmuar 10 raste tjera, ka njoftuar ministria japoneze e Shëndetësisë.
Pasagjerët tek të cilët është konfirmuar coronavirusi janë dërguar në spitalet më të afërta, me qëllim që të kryhen teste të mëtutjeshme.
Në mesin e të infektuarve janë shtetas japonezë, amerikanë, kanadez nga Zelanda e Re dhe një pasagjer nga Tajvani, shumica prej të cilëve janë nga mosha 60 deri në 70-vjeç.
Në anijen “Princesha e diamantit” gjenden 3,700 persona, që tash e dy javë janë futur në karantinë nëpër kabinat e tyre dhe po vëzhgohen nga autoritetet lokale të portit japonez.
Rezultatet e testeve janë duke i pritur edhe 171 persona tek të cilët janë vërejtur simptomat e coronavirusit, ose që kanë pasur kontakt me njerëz që janë diagnostikuar më herët me coronavirus.
Në një anije tjetër që është ndalur në terminalin Kai Tak në Hong Kong, janë futur në karantinë më shumë se 1,800 pasagjerë.
Ndërkaq gjatë një udhëtimi të mëhershëm me të njëjtën anije, ishte infektuar një person që po udhëtonte nga Kina për në Vietnam. Megjithatë, gjatë udhëtimit janë konfirmuar edhe tre pasagjerë tjerë të infektuar./Gazeta Sinjali/