Vajzat e mitura po vazhdojnë të jenë viktimat më të shpeshta të ngacmimeve e sulmeve seksuale. Këto ngjarje të trishta po ndodhin në shkolla, hapësira publike, kafeteri e qendra të ndryshme gjithandej. Një rast i tillë është denoncuar së fundmi nga një prind në Prishtinë, i cili bashkë me të bijën kanë kërkuar ndihmën e Policisë, raporton Gazeta Sinjali.
Këtë herë, viktimë është një vajzë e moshës 10-vjeçare, e cila dyshohet se është sulmuar seksualisht në fshatin Bërnicë e Poshtme, në afërsi të një restoranti.
Sinjali mëson se i dyshuari, i cili akoma nuk është identifikuar, po dyshohet se e ka futur viktimën fillimisht në një market, gjoja për t’i blerë libra e më pas e ka çuar në veturë.
Bazuar në informacionet që posedojnë organet e rendit, i dyshuari e ka kërcënuar të miturën që të zhvishet dhe më pas e ka prekur në pjesët intime.
Si rezultat i denoncimit, Policia ka ndërmarrë veprimet e nevojshme, me ç’rast janë siguruar edhe pamjet nga kamerat e sigurisë.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar në drejtim të veprës penale “Sulmi seksual”, ndërsa veprimet e tjera do të ndërmerren pasi të identifikohet i dyshuari dhe të sigurohet prezenca e tij.