Gratë, si viktimat më të shpeshta të dhunës në familje shpesh frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët e tyre në Polici, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë. Por edhe kur raportojnë për dhunën që përjetojnë, jo gjithmonë rastet janë trajtuar siç duhet, gjë që është dëshmuar me disa raste që kanë përfunduar tragjikisht, raporton Gazeta Sinjali.
Mbrojtje nga Policia ka kërkuar edhe një grua shtatzënë nga Gjakova, e cila në fillim të kësaj jave është rrahur nga bashkëshorti i saj, në shtëpinë e tyre në rrugën “Shotë Galica”. Si shumë herë të tjera, edhe ky rast nuk është denoncuar në momentin që është raportuar.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se më 28 nëntor, të hënën që lëmë pas, 32-vjeçari i dyshuar ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij që është shtatzënë, e të cilën e ka goditur me grushte nëpër trup.
Pas dhunës që përjetoi nga burri gjatë pritjes së ëmbël, asaj iu desh t’i nënshtrohej kontrollit gjinekologjik, por për fat të mirë gjithçka ka qenë në rregull. Megjithatë, Sinjali mëson se ajo ka pësuar lëndime në pjesët e tjera të trupit, për çka u desh të kërkonte ndihmë mjekësore.
Për motive akoma të panjohura, viktima nuk ka mundur ta denoncojë menjëherë rastin. Por pasi policia është vënë në dijeni, kanë nisur kërkimet për ta kapur të dyshuarin, edhe pse i njëjti ende s’është kapur.
Sinjali merr vesh se gruaja shtatzënë bashkë me fëmijën 1-vjeçar është dërguar në strehimore, teksa Prokurori i Shtetit ka urdhëruar ndërmarrjen e veprimeve për të siguruar prezencën e personit të dyshuar për “Dhunë në familje”.