Ngacmimet dhe sulmet seksuale ndaj vajzave dhe grave janë bërë një fenomen mjaft shqetësues në vendin tonë që po alarmon të gjithë. Siguria e vajzave po cenohet edhe në hapësira publike, shkolla, mjete të transportit e në rrugë. Të dyshuarit për këto raste jo rrallëherë dalin të jenë edhe persona në moshë të shtyrë, siç ka ndodhur me një rast para mbrëmjen e djeshme, raporton Gazeta Sinjali.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një 62-vjeçar po dyshohet se e ka ngacmuar seksualisht një vajzë 23-vjeçare, teksa po udhëtonin në të njëjtin autobus. Ai është arrestuar pas denoncimit të rastit dhe tashmë ndaj tij është urdhëruar masa e ndalimit polivor.
Sinjali ka mësuar detaje se si 62-vjeçari tentoi ta keqtrajtojë seksualisht vajzën derisa ndodheshin në autobusin e kompanisë “Shkëndija” që ishin nisur nga Mitrovica në drejtim të Prishtinës.
Bazuar në informacionet e para, rasti ka ndodhur në orët e mbrëmjes, tëksa autobusi kishte arritur në fshatin Mazgit, kur edhe ndodhi rasti që e trishtoi viktimën.
Kjo situatë i ka krijuar asaj pasiguri, frikë dhe shqetësim të madh, me ç’rast ka kërkuar ndihmën e Policisë, duke e denoncuar rastin, se si ishte ngacmuar seksualisht.
Si rezultat i denoncimit, i dyshuari është arrestuar dhe ndaluar për 48 orë dhe brenda kësaj periudhe pritet të bëhet edhe kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit.