image E rrethuar nga serbët në tri anë, me dy plumba në kraharor - ish-pjesëtari i Njësisë Speciale tregon si arritën ta shpëtojnë 'Nënën Havë'

Histori

E rrethuar nga serbët në tri anë, me dy plumba në kraharor – ish-pjesëtari i Njësisë Speciale tregon si arritën ta shpëtojnë ‘Nënën Havë’

news image

Të mbijetuarit e luftës të cilët dhanë një kontribut të pashoq për lirinë e territorit të Republikës së Kosovës, rreth 25 vjet pas sakrificave, rrëfejnë për ditët më të rënda të tyre, duke lënë të dokumentuara gjurmët e shqiptarëve rreth qëllimit për pavarësi.

Një rrëfim të rrallë e unik, ku përshkruhet më së miri sakrifica deri në vetëflijim për të shpëtuar të gjithë nevojtarët të cilët u goditën nga armiku, e ka dhënë së fundmi ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Daci.

Daci teksa shpjegon në detaje njërën prej netëve më të rrezikshme, ku shanset për t’u vetëflijuar ishin të mëdha, rrëfen se si arritën së bashku me disa bashkëluftëtarë ta shpëtojnë një gruan (Hava Kasumaj) e cila e rrethuar nga tri anë prej armikut, arriti t’iu mbijetojë dy plumbave që e kishin goditur në kraharor.

“Kemi dëgju që ka pasur luftime në fshatin Lloçan, edhe pas dy apo tri dite na ka ardhë një informacion që një grua ka mbetur e plagosur në shtëpinë e vet. Jemi tubuar 7-8 vetë në krye me Idriz Balajn. Jemi nisë. U dashtë me pritë deri në orën 1 apo 2, deri të largohet hëna, sepse ishte shumë dritë. Diku rreth orës 1 e gjysmë të natës jemi fut në drejtim të fshatit Carrabreg. Aty është një lum, jemi fut nëpër lum, uji deri në gjoks diku, edhe kemi dalë te dera e të ndjerit burrit të Havës. Në afërsi prej 30 metra i dëgjonim serbët teksa flisnin. 30 metra kanë qenë mbi shtëpi, 50 metra në krahun e majtë, 50 metra në krahun e djathtë. Prej 3 anëve ka qenë shtëpia e rrethuar. Kemi hy, i kemi shku pranë derës së oborrit, por ka qenë mbyll. U dashtë me shku pa zhurmë, saqë s’kemi guxu as me e shty derën. Dera e hyrjes (së shtëpisë) ka qenë mbyll, s’guxonim as me trokit, se na dëgjonin. N’xham të derës e kemi hek kapelën, e kemi vendos me e pa ajo kush jemi, e ka pa emblemën e UÇK-së, atëherë e ka çelë derën. E kemi lyp në katin e parë gjithkund, se kemi gjet, e kemi lyp edhe në katin e dytë, se asnjë pikë dritë s’është kanë. Rastësisht jam ndal në shkallë edhe e kam nij frymëmarrjen, kur po e shoh ‘Nënën Havë. I kam thënë mos fol. Me të ka qenë edhe vjehrri i saj, ndërsa ‘Nëna Havë’ e plagosur me dy plumba. 2-3 ditë ka qëndru aty pa ia dhënë ndihmën askush. Në të dyja anët ishim të rrethuar, edhe përpara. Aty kemi mundur të pësojmë humbje edhe ne, edhe ata. I kemi tërheq nëpër rekë. ‘Nënën Havë’ e kemi marr në krah. Kur jemi dalë në rrugë e kemi pa autoblindën, unë jam gju andej rrugës dhe kam kalu, por ia kam pas frikën togerit në veturën prapa meje. Kur ka kalu togeri, ata kanë shtënë me mitraloz, por kemi shpëtuar pa pasojë. Kur jemi kthy në Gllogjan, ‘Nënë Havë’ u taku me fëmijët e vet, lot gëzimi. Sot ajo është gjallë”, tha Daci për emisionin n’Demos.

/GazetaSinjali/